Secondary Adv

Alarmi i transportit, kërkohet kompensimi i naftës deri në shtator ose do të reduktojnë qarkullimin

Operatorët kërkojnë zgjatjen e kompensimit të naftës, duke paralajmëruar reduktim të mjeteve dhe frekuencave.

Operatorët e transportit publik, brenda një periudhe të shkurtër, kanë ngritur sërish alarmin se nuk po arrijnë të përballojnë kostot e operimit për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe rënies së numrit të pasagjerëve. Në letrën e dytë të muajit gusht 2026, drejtuar ministrive të Financave, të Ekonomisë, Infrastrukturës dhe Energjetikës, Pushtetit Vendor dhe Bashkisë së Tiranës, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngre sërish shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet sektori.


Në shkresën dërguar institucioneve, operatorët ngrenë alarmin se nuk po arrijnë të përballojnë kostot e operimit nga shtrenjtimi i naftës, ndërsa kompensimi i dhënë për periudhën mars-prill-maj është i pamjaftueshëm për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit gjatë muajit gusht.


“Karburanti përbën një nga zërat kryesorë dhe më të rëndësishëm të kostos së aktivitetit të transportit publik. Për shkak të volumit të lartë të konsumit ditor të mjeteve, çdo rritje apo qëndrueshmëri e çmimit të naftës në nivele të larta reflektohet drejtpërdrejt në kostot e operimit të operatorëve.


Në kushtet kur tarifat e transportit publik mbeten të pandryshuara dhe operatorët duhet të garantojnë vijimësinë e shërbimit sipas linjave, frekuencave dhe kapaciteteve të përcaktuara, përballimi i kësaj kostoje është bërë gjithnjë e më i vështirë.


Masat e kompensimit të ndërmarra deri më tani kanë qenë një mbështetje e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrit financiar dhe vijimësinë e shërbimit. Megjithatë, problematika që solli nevojën për këtë mbështetje nuk është tejkaluar.


Çmimi i karburantit vazhdon të mbetet në nivele të larta dhe të ushtrojë presion të konsiderueshëm mbi kostot operative të shoqërive. Nëse kjo situatë vijon edhe gjatë muajit gusht 2026 dhe muajve në vijim, pa u shoqëruar me një mekanizëm kompensimi financiar, operatorët do të përballen me vështirësi serioze për garantimin e shërbimit në nivelin aktual”, theksohet në letër.


Paralajmërohet reduktim i mjeteve dhe frekuencave

Sipas shoqatës, pamundësia për të përballuar në mënyrë të vazhdueshme kostot e karburantit dhe shpenzimet e tjera operative mund të sjellë vështirësi në garantimin e vazhdimësisë normale të transportit publik, reduktim të numrit të mjeteve në qarkullim, ulje të frekuencës në linjat përkatëse dhe rritje të intervaleve të pritjes për qytetarët. Operatorët paralajmërojnë gjithashtu vështirësi në përmbushjen e detyrimeve financiare dhe operative, shtyrje të investimeve dhe ndërhyrjeve për mirëmbajtjen e flotës, si dhe rrezik për përkeqësimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit.


Në këto kushte, Shoqata e Transportit Publik Qytetas kërkon që të shqyrtohet me prioritet vijimi i skemës së kompensimit për karburantin edhe për muajin shtator 2026, si dhe për muajt në vijim, për aq kohë sa çmimi i karburantit dhe kushtet ekonomike që kanë justifikuar këtë mbështetje vazhdojnë të mbeten në nivele të larta.


“Vlerësojmë se vijimi i kompensimit është një masë e domosdoshme për të ruajtur kapacitetet aktuale të transportit publik, për të shmangur reduktimin e mjeteve dhe të frekuencave, si dhe për të garantuar që barra e kostove të jashtëzakonshme të karburantit të mos ndikojë negativisht në cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.


Kërkojmë angazhimin dhe ndërhyrjen tuaj institucionale për miratimin e vijimit të kompensimit financiar për muajin qershor-korrik-gusht 2026 dhe për periudhën pasuese, deri në normalizimin e çmimit të karburantit dhe të kushteve ekonomike të ushtrimit të aktivitetit.


Shoqata dhe operatorët që ajo përfaqëson mbeten të gatshëm për të vënë në dispozicion të institucioneve përgjegjëse çdo të dhënë ekonomike, financiare apo operative të nevojshme për të evidentuar ndikimin real që çmimi aktual i karburantit ka mbi funksionimin e shërbimit të transportit publik”, theksohet në letrën e operatorëve.


Kompensimi aktual është 50 lekë për litër

Edhe në letrën e dërguar më 12 gusht 2026, operatorët ngritën shqetësimin për pamundësinë e përballimit të kostove të naftës dhe kërkuan zgjatjen e periudhës së kompensimit.


Vendimi i miratuar më herët nga qeveria parashikon kompensimin e operatorëve të transportit publik në masën 50 lekë për litër karburant, për sasinë e konsumuar gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026. Operatorët kërkojnë që kompensimi të jepet edhe për katër muaj të tjerë, ndërsa çmimi i naftës prej javësh në vend ka arritur mbi 210 lekë për litër.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat